FINANCIMI I PARTIVE POLITIKE DHE FUSHATAVE ELEKTORALE
Keywords:
parti politike, fushata elektorale, financime të partive politike dhe fushatave elektorale, organet që bëjnë menaxhimin dhe auditimin e financimit të partive politike dhe fushatave elektorale etj.Abstract
Njëra prej sfidave kryesore për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike
qoftë në shtetet me demokraci të konsoliduar apo shtetet me demokraci fluide
është pa dyshim financimi i partive politike dhe fushatave elektorale. Ajo jo
vetëm që kërkon infrastrukturë ligjore precize por njëkohësisht kërkon
institucione shtetërore të cilat duhet të bëjnë auditimin objektiv të të hyrave dhe
shpenzimeve të partive politike dhe fushatave elektorale.
Financimin e partive politike dhe fushatave elektorale secili shtet e ka
të rregulluar me akte të veçanta juridike. Madje në shumë shtete kjo çështje
është e rregulluar me akte të veçanta ligjore, duke miratuar ligje për financimin
e partive politike dhe fushatave elektorale.
Në botën bashkëkohore financimi i partive politike dhe fushatave
elektorale gjendet para sfidave të mëdha. Këto vështirësi nuk i kanë vetëm
shtetet të cilat janë në kërkim të konsolidimit të demokracisë përfaqësuese, te të
cilat ekzistojnë shumë mangësi, duke filluar që nga mungesa adekuate e
infrastrukturës ligjore për financimin e partive politike dhe fushatave elektorale
e deri te institucionet që janë të obliguara të bëjnë menaxhimin tyre.
Vështirësi mjaftë të mëdha për kontrollimin e financimit të partive
politike dhe fushatave elektorale kanë edhe shtetet në të cilat demokracia
përfaqësuese është e konsoliduar, duke pasur parasysh se fushatat elektorale
janë bërë mjaft komplekse, për shkak të mundësisë së financimeve jo zyrtare,
kryerjes së shërbimeve anonime, propagandës përmes mjeteve të internetit etj.
Nëpër këto vështirësi po kalojnë edhe shtetet që janë djepi i demokracisë
përfaqësuese, në të cilat pluralizmi politik dhe sistemi shumë partiak kanë
traditë mbi treqind vjeçare.
Megjithatë, në botën bashkëkohore janë miratuar një varg aktesh
ndërkombëtare për financimin e partive politike dhe fushatave elektorale si dhe
menaxhimin e tyre. Këto akte përbëjnë parimet bazë për modelet e
infrastrukturës ligjore dhe auditimit të financimit të partive politike dhe
fushatave elektorale të shteteve veç e veç.